Lufta ruse në Ukrainë është në ditën e 238 dhe komandanti i forcave ruse në Ukrainë pranon për herë të parë se situata në qytetin jugor të Kherson është e vështirë dhe se banorët duhet të evakuohen menjëherë. Gjenerali Sergei Surovikin tha se trupat ukrainase po përdorin raketat HIMARS, për të goditur infrastrukturën e qytetit, mes të cilave edhe shtëpitë e godinat e banimit. Deklaratat, gjenerali rus, i bëri për televizionin shtetëror në Moskë.
“Ushtria ruse do të sigurojë evakuimin e sigurt të popullsisë së Kherson”. Deklarata e rrallë për një ushtarak rus u mohua menjëherë nga zyrtari i rajonit të aneksuar pak javë më parë, Kirill Stremousov, i cili paralajmëroi banorët e Kherson se shumë shpejt, trupat ushtarake ukrainase, do të nisin atje një sulm.
“Merrini seriozisht fjalët e mia. Po flas për një mundësi evakuimi, por së shpejti”, tha ai përmes një mesazhi, ku theksonte se banorët e zonave rreth lumit Dnipër ishin më të rrezikuarat.
Kherson ishte qyteti i parë i madh ukrainas që ra në duart e ushtrisë ruse, në ditët e para të luftës.