Një ukrainase është gjetur pa shenja jete brenda apartamentit ku banonte në plazhin e Durrësit.
45-vjeçarja, e identifikuar si Natalia F. Yaruseska jetonte vetëm në katin e pestë të një pallati.
Banorët e pallatit, të shqetësuar për fatin e saj, pasi nuk e kishin parë të dilte prej disa ditësh nga banesa, kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës, i cili ka bërë të mundur hyrjen në apartament nga ana e ballkonit. Por në momentin që janë futur në banesë, ukrainasja është gjetur pa shenja jete.
Trupi i saj është dërguar në urgjencën e spitalit të Durrësit, e cila ka deklaruar paraprakisht se nga kqyrja e trupit nuk ka shenja dhune në të dhe vdekja e saj është natyrale. Megjithatë, Policia e Durrësit ka nisur hetimet për të zbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes së saj.