Depërtimi i masave ajrore të ftohta polare do të vijojnë ndikimin e tyre në vendin tonë duke sjellë një tjetër rënie të temperaturave. Për sa i përket motit, bregdeti dhe zonat e ulëta do të paraqiten nën ndikimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të lehta ndërsa zonat malore do të dominohen nga vranësira më të dendura ku në dy skajet verilindje- juglindje priten reshje të izoluara dëbore. Parashikohet që mbrëmja dhe në vijim të sjellë dominim të motit të kthjellët dhe vranësirave të shpeshta.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë sërish rënie në vlerat minimale, por rriten lehtë maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga -8°C vlera minimale e shënuar në zonat verilindore deri në 10°C vlera maksimale e cila pritet në Jugperëndim të territorit. Era do të fryjë mesatare si në tokë dhe në det me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi verilindor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim deri në 2 ballë.
Kosova
Republika e Kosovës do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat veriore – veriperëndimore. Gjatë orëve të pasdites, vranësirat do të bëhen të dukshme pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës, megjithatë mundësia për reshje është thuajse zero. Temperaturat e ajrit do të vijojnë të ulëta në mëngjes, por rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat termike nga -7°C vlera më e ulët deri në 3°C vlera më e lartë në rang territori. Era do të fryjë mesatare deri e fortë gjatë gjithë ditës me shpejtësi deri në 45 km/h nga drejtimi permanent verilindor.
Maqedoni e Veriut
Vijon depërtimi masave ajrore me origjinë verilindore, duke sjellë mot të kthjellët dhe shumë të ftohtë në të gjithë republikën e MV. Parashikohet që orët e pasdites dhe mbrëmjes; të sjellin vranësira disi më të shpeshta në territor, ku më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat Jugore dhe Juglindore duke sjellë momente me flokë dëbore. Këto kushte atmosferike do të na shoqërojnë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të vijojnë të ulëta në mëngjes, por rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat termike nga -7°C vlera më e ulët deri në 3°C vlera më e lartë në rang territori. Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtesinë deri në 45 km/h nga drejtimi permanent verilindor.
Evropa
Një qendër e fuqishme ciklonare e zhvilluar në Europën veriore me ndikim deri në qendër të kontinentit do të sjellë vranësira, reshje dëbore përkatësisht në Europën Lindore, Europën qendrore si edhe rajonin e Ballkanit. Po ashtu ishujt Britanikë do të përfshihen nga një sistem frontal duke sjellë rrebeshe shiu dhe erëra të fuqishme ndërsa nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të ftohtë do të paraqitet pjesa më e madhe e kontinentit europian ku temperatura ekstreme do të ketë në rajonin e Ballkanit.