Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar për deklaratat e kryeministrit Edi Rama, për uljen e energjisë elektrike. ”Shqiptarët për shkak të abuzimeve të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në sektorin e energjisë paguajnë çmimin më të shtrenjtë të energjisë në rajon”, shkruan Bardhi. Ai e cilëson si një tallje me shqiptarët uljen dhe cilësimin e saj si historike.
Postimi i plotë
Edi Rama vazhdon të tallet me shqiptarët. Pasi e rriti çmimin e enrgjisë me 30 përqind, duke patur çmimin më të lartë në Rajon, sot quan historike që e ul me 1 lek për kilovat, por ndërkohë mbetemi përsëri vendi me çmimin më të lartë të energjisë se Kosova, Mali i Zi apo Bosnje Hercegovina!
Edi Rama mendon se qytetarët shqiptarë ushqehen 1 herë në çdo 4 vjet, paguajnë për energjinë elektrike 1 herë në çdo 4 vjet, apo marrin ilaçe 1 herë në çdo 4 vjet. Prandaj sa herë që ka zgjedhje bën sikur ul për qëllime mashtrimi elektoral atë që në fakt ka rritur po vetë sa herë përfundojnë zgjedhjet.
Ishte Edi Rama që rriti për 10 vjet çmimin e energjisë nga 7.4 lekë në 9.5 lekë, që Belinda Balluku të kishte më shumë të ardhura për të vjedhur me tendera dhe duke shitur më lirë e blerë më shtrenjtë energji jashtë Bursës së Energjisë, ndërkohë që sot thotë se është ditë historike që do bëjmë sikur ulim çmimin me 1 lek vetëm për 10 muaj sa të kalojmë zgjedhjet!
Ulja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë masë vetëm për 10 muaj, apo masë për mashtrim elektoral, por një masë e përhershme veçanërisht për familjet në nevojë apo me të ardhura mesatare. Sot shqiptarët për shkak të abuzimeve të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në sektorin e energjisë paguajnë cmimin më të shtrenjtë të energjisë krahasuar me vendet që blejnë energji nga Shqipëria. Për ilustrim në Kosovë çmimi mesatar i energjisë për konsumatorët familjar është 7 lekë për kilovat.
Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se Edi Ramës nuk i intereson as varfëria dhe as mirëqenia e qytetarëve. Edi Ramës i intereson vetëm pasurimi dhe mirëqenia e vetes, Belindës dhe një grushti të vogël oborrtarësh të tij.