Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me një sërë pyetjesh mbi transaksionet me prona, me ndërtimin e një pallati 10 katësh pa leje dhe një bilanc negativ që shkon më shumë se 52 milion lekë, sipas analizës financiare për të ardhurat dhe shpenzimet të bërë nga Komisioni.
Relatimi që zgjati 1 orë e 20 minuta, përfshiu po ashtu një sërë pasurish që sipas KPK nuk ishin deklaruar asnjëherë, përfshirë një ullishte dhe disa transaksione të djalit të Hajdarit në aksione kompanish që i ishin dhuruar pa kundërshpërblim.
Hajdari, e cila u vlerësua vetëm në dy kritere, u cilësua po ashtu e papërshtatshme në kriterin e figurës, pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në formularin për këtë kriter.
Gjyqtarja Hajdari bëri tre mbrojtje të ndryshme për të kundërshtuar gjetjet në një seancë që zgjati 4 orë. Një përmes avokatit Maks Haxhia, i cili u përpoq të justifikonte juridikisht pse revokimi i vizës nuk ishte refuzim hyrje. Një të dytë përmes avokates Ilira Dane, që përshkroi në detaje kundërshtimet mbi gjetjet në kriterin e pasurisë.
Dhe një të tretë vetë, duke i dhënë nota emocionale historisë së saj dhe duke shpjeguar po emocionalisht se problemet me pasurinë vinin kryesisht nga veprimet e të birit, por që sipas saj nuk kishte bërë shkelje të ligjit.
“Jam e pastër, nuk e kam shkelur ligjin”, tha Hajdari gjatë fjalës së saj në seancë dëgjimore.
Rivlerësimi për Hajdarin u krye nga një trupë e kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Firdes Shuli dhe relatore Etleda Çiftja. Ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs.
Fatmira Hajdari, e cila është e veja e Azem Hajdarit deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit kundër diktaturës në vitet 90’ i vrarë në vitit 1998. Ajo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, funksion të cilin e mban edhe aktualisht.
Viza e revokuar
Edhe pse u përmend në fund sipas kronologjisë, dy vizat e revokuara nga Ambasada e SHBA në Tiranë ishin temë kryesore në mbrojtjen e Fatmira Hajdarit. Relatorja Çiftja tha se vizat nuk ishin deklaruar si të revokuara dhe se Hajdari kishte shënuar me “Jo” pjesën e formularit për pastërtinë e figurës në të cilin pyetej nëse i ishte refuzuar hyrja në ndonjë vend të BE apo Aleancës së Atlantikut.
Sipas relatores Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte përcjellë fillimisht një raport pozitiv për Hajdarin, por pasi Komisioni kishte gjetur revokimin e vizave në pasaportën e Hajdarit, ky raport ishte ndryshuar.
Çiftja tha se Hajdari nuk kishte thënë të vërtetën në formular ndërsa në raportin e dytë DSIK doli në përfundimin se ajo kishte kryer “mosdeklarim, fshehje dhe kishte plotësuar me pavërtetësi formularin”.
Avokati Maks Haxhia që mori përsipër të mbronte këtë pjesë të barrës së provës, tha se qëndrimi i Komisionit dhe raporti i dytë i DSIK ishin gabim. Ai pretendoi se nuk kishte refuzim hyrje, por sipas tij një revokim të vizës deri në përfundimin e procesit të vetingut. Haxhai tha se këto ndryshonin nga njëri tjetri.
Haxhia dhe më pas Hajdari pretenduan një rrjedhë ngjarjesh që sipas tyre ua kishte bërë të pamundur të dinin më 26 janar 2017 (dita e dorëzimit të formularit) se viza u ishte revokuar. Hajdari tha se kishte marrë një telefonatë nga ambasada në të cilin i ishte kërkuar pasaporta dhe se më pas kur kishte marrë pasaportën konsulli i kishte thënë që kishte revokim të vizave dhe se kjo bëhej për shkak të “procesit të vetingut”.
Nga ana e saj relatorja vuri në dukje deklaratën e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë për revokimin e vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar”, thuhet në deklaratën e bërë më 26 janar, ditë kur edhe Hajdari thotë se ka dorëzuar formularin. Aty po ashtu thuhet se vendimi i revokimit ishte bërë para procesit të vetingut.
Hajdari tha se nuk e dinte për revokimin më 26 janar. “Atë ditë shkova të dorëzoj formularin. Kishte radhë te liqeni (zyrat e DSIK-së)”, tha Hajdari ndërsa shtoi se vendimin për revokim e kishte mësuar disa ditë më vonë.
Më herët KPK dhe KPA e kanë konsideruar si shkelje shkarkues mosdeklarimin e revokimit të vizës, ndërsa kjo është interpretuar në të gjitha rastet si ndalim hyrje.
Shtëpia dhe pallati
Relatimi mbi pasurinë kryesore të familjes, një pallat 10 katësh në të cilin ata kishin 12 apartamente dhe 3 njësi shërbimi, ishte edhe strëmbullari rreth të cilës u vërtit pjesa më e madhe e relatimit. Çiftja vuri në dukje një sërë elementësh që ishin gjetur, përfshirë disa mosdeklarime, ndërtimin e paligjshëm, ndërtimin mbi pronë që nuk ishte e familjes dhe mungesën e burimeve e dokumentacionit justifikues.
Sipas Çiftjas pallati që ishte në zonën e njohur si “Vilat Gjermane” në kryeqytet ishte nisur të ndërtohej në vitin 2012 pa leje. Vetëm me shpenzimet e familjes – rreth 207 mijë euro, ai ishte ngritur pesë kate karabina. Më pas ishte bërë marrëveshje me një person të tretë i cili kishte marrë përsipër të ndërtonte 5 katete e tjera dhe përfundonte pallatin, i cili do të merrte ½ e tij.
Problemi i parë sipas relatores ishte zgjerimi i padeklaruar i tokës në pronësi të familjes. Nga relatimi rezultoi se kjo kishte pasur në fillim një truall rreth 549 metra bashkë me një shtëpi të blerë nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin 1993, por që më pas ishte shtuar me 145 metra përmes një vendimi gjykate dhe 150 m2 të tjera përmes legalizimit. Sipërfaqja në total rreth 900 metra ishte përdorur nga i biri i gjyqtares për të nisur ndërtimin e pallatit.
Burime për këtë pasuri ishin pjesërisht (139 mijë euro) nga kontrata e shitjes së aktivitetit lokal në Qytetin Studenti për 168 mijë euro dhe 10 milion lekë nga një ndërtues – dhënë në mirëbesim në formë kleringu (beton) dhe më pas marrëveshja me ndërtuesin për mbarimin e investimit.
KPK vuri në dyshim qoftë të ardhurat nga shitja e lokalit, qoftë marrëveshjen për 10 milion lekë me ndërtuesin, për të cilin Komisioni tha se nuk kishte kontratë dhe as dokumente. Po ashtu u tha se ky i fundit nuk kishte deklaruar asnjë shitje ndaj djalit të Hajdarit dhe se nuk i kishte deklaruar këto para në bilance.
Pas mbrojtjes teknike nga avokatja që përmendi fletë-hyrje për betonin që ishin gjetur dhe faktin se ndërtuesi kishte marrë në shkëmbim një apartament në fund të ndërtimit dhe argumentimin pse të ardhurat nga lokali duhej të konsideroheshin të ligjshme, vetë Hajdari mbrojti veprimin si diçka që ishte nxitur nga koha, nga legjislacioni për ndërtimet pa leje dhe nga të afërm që i kishin sugjeruar ndërtimin.
Ajo pretendoi se i biri në përpjekje për ta ndihmuar i kishte hapur pa dashje telashe, ndërsa tha se gjithçka diskutohej vërtitej rreth tij. Hajdari tha se djali i kishte premtuar se nuk po bënte “asgjë të paligjshme”.
Por gjykatësja pranoi në fjalën e saj se nuk e kishte deklaruar ndërtimin pa leje dhe shumat e lidhura me të, pasi ky i fundit mund të prishej si ndërtim i paligjshëm.
“Ne nuk e dinim nëse do të arrihej të ndërtohej dhe morëm parasysh rrezikun se mund të prishej”, tha Hajdari.
Ajo pretendoi se edhe ortakët në këtë biznes ishin futur me këto pritshmëri dhe se shpenzimet nëse ndërtimi prishej do u mbeteshin palëve.
Zënies së pronës shtetërore nga ky ndërtim Hajdari iu referua si një e drejtë që kishte lindur prej posedimit për një kohë të gjatë. Duke e lidhur këtë posedim me një rrethim të hershëm të bërë për sigurinë e saj dhe të familjes, ajo tha se kishte pasur gjithmonë bindjen se “prona ishte e imja”.
E pyetur nga komisionerja Firdes Shuli nëse kishte pasur ndonjë akt për posedimin të çfarëdo forme, Hajdari iu referua sërish rrethimit të bërë për të siguruar familjen dhe ndryshimit të relievit në zonë pas ndërhyrjes për rrugë dhe bindjes së tyre se ishin në tokë private. Ajo tha se vetëm kur ishte bërë azhornimi kishin kuptuar se 150 metra ishin tokë shtetërore. / BIRN /