Një grup ushtarësh rusë të kapur në Ukrainë kanë dalë hapur kundër Kremlinit. Njëri prej tyre thotë se ushtria ukrainase nuk do të mund të nënshtrohet kurrë. Trupat ruse të kapur në Ukrainë i kanë kërkuar popullit të tyre të ngrihet kundër Vladimir Putinit, ndërsa paralajmërojnë se shokët e tyre ushtarë po hidhen mes varreve masive.
Një grup ushtarësh rusë që u dërguan në Ukrainë kanë folur kundër qeverisë së tyre gjatë një konference për shtyp me agjencinë e lajmeve Interfax-Ukraine.
Alexei Zheleznyak, një ushtar i brigadës së 34-të i vendosur në Republikën Karachay-Cherkess të Rusisë, iu dorëzua forcave ukrainase. Ai e paralajmëroi Putinin se nuk do të ishte kurrë në gjendje të dërgonte trupa të mjaftueshme në Ukrainë për të pushtuar vendin.
“Putini, pa shpallur luftë, po bombardon banorët, spitalet, qytetet e Ukrainës. Popull i Rusisë, mos i shikoni ukrainasit si zombi. Ai është një popull trim. Ata do ta ndalin këtë çmenduri edhe pa armë pasi ata janë të bashkuar. Sado që Putini të dërgojë trupat e tij këtu, ai nuk do ta pushtojë dot këtë territor… Komandanti ynë i përgjithshëm është gënjeshtar dhe mashtrues i gjithë popullit tonë. Ai mashtroi jo vetëm ne, por gjithë Rusinë. Ai na bëri fashistë”, shprehet njëri prej ushtarëve.
Mustafaev Mugsad, i brigadës së 34-të të Federatës Ruse, u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij që të injorojnë propagandën shtetërore për luftën.
“Njerëzit po qëndrojnë në bodrume për ditë të tëra dhe po vdesin. Nuk do të thosha nëse nuk do ta shihja vetë. Njerëzit do ta kujtojnë agresionin tonë për shekuj. Njerëz, ushtarakë të Rusisë, më në fund hiqni syzet ngjyrë rozë dhe shikoni se çfarë po ndodh në Ukrainë”, u shpreh Mugsad.
Mugsad kërkoi falje teksa deklaroi se “trupat e Federatës Ruse sollën pikëllim dhe shkatërrim tek populli ukrainas”
Igor Rudenko, sinjalizues i brigadës së veçantë të mbrojtjes bregdetare 126 të Federatës Ruse tha se vendimi i tij për t’u dorëzuar ishte i duhuri. Rudenko bëri të ditur se trupat ruse tashmë kishin humbur dhe se ushtria ukrainase do t’i shkatërronte ato, duke pretenduar se 15 mijë kishin vdekur.
Viktimat e trupave nga të dyja palët janë shumë të vështira për t’u konfirmuar , por vlerësimet zyrtare flasin për shifra të ulta.
“Nëse ju (ushtria ruse) keni nderin që ju mbetet, mos i përsëritni gabimet e mia” tha zoti Rudenko.
“Merrni trupat, sepse Putini nuk ka nevojë për ne. As kufomat nuk i merr. Ata janë hedhur në varreza masive. Është e vështirë të shihen”
Ai shtoi gjithashtu se si një ukrainas etnik me origjinë nga rajoni i Dnipropetrovsk, ai i kërkoi falje popullit të Ukrainës për tradhtinë ndaj vendit.
Komandanti i departamentit të automobilave të 126-të të brigadës së mbrojtjes bregdetare, Alexander Fomenko, u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij të dalin në rrugë dhe të protestojnë.
“Unë ju kërkoj të dilni në rrugë”, tha ai.
“Mos kini frikë nga qeveria jonë. Ata nuk do të ndalin dot turmën. Po, do të arrestojnë 10,000-20,000 njerëz, por ju jeni më shumë. Mund të dilni dhe të ndaloni këtë kaos. Këtu vuajnë njerëz paqësorë, përfshi edhe fëmijët”.