Ushtria izraelite tha sot se sulmet në Rripin e Gazës kanë vrarë shumë udhëheqës të lartë të grupit islamik Hamas. Mes të vrarëve nga sulmet izraelite ishte edhe ministri i Ekonomisë së Hamasit, Jawad Abu Shamala.
Izraeli akuzon Shamala për menaxhimin e fondeve për militantët e Hamasit dhe udhëheqjen e operacioneve të Hamasit kundër Izraelit. Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës me forcë në vitin 2007 dhe që atëherë ka shërbyer si parti qeverisëse de fakto në zonën e ngushtë të territorit, që është shtëpia e më shumë se 2 milionë njerëzve.
Ushtria izraelite tha gjithashtu se ata kishin vrarë një tjetër udhëheqës kyç të Hamasit, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në planifikimin e sulmeve të shumta terroriste kundër Izraelit.
“Të dy anëtarët e Hamasit u vranë gjatë natës”, tha ushtria izraelite.
“Sulmet izraelite në Rripin e Gazës, deri më tani kanë vrarë të paktën 788 njerëz”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Sulmet izraelite vijnë si hakmarrje ndaj sulmeve të mëdha të koordinuara që Hamasi ndërmori kundër Izraelit të shtunën, në të cilat rreth 900 persona u vranë nga militantët e Hamasit në Izrael.