Një vogëlushe, 7-muajshe, u gjet e gjallë në automjetin të bërë “shoshë” nga plumbat, pasi nëna e saj e mbrojti atë nga masakra ku u vranë 9 anëtarët e një familje nga karteli i drogës.
Christina Langford Johnson ishte në mesin e atyre që u qëlluan për vdekje, kur personat e armatosur hapën zjarr në shtetin verior, Sonora në Meksikë.
Sipas “Daily Mail” ajo i shpëtoi jetën së bijës, ndërsa doli nga makina për të tërhequr vëmendjen e personave të armatosur, duke e lënë foshnjën brenda. Ajo u gjet 15 metra larg automjetit, ndërsa trupi i saj ishte i mbuluar nga plumbat.
Ndërkohë janë publikuar edhe pamjet kur foshnja Faith, u gjet e padëmtuar dhe e zhveshur në sediljen e veturës pas më shumë se tetë orësh më vonë, kur familja dhe autoritetet arritën në vendin e ngjarjes.
Faith është ribashkuar me babanë e saj Tyler Johnson dhe është fotografuar duke qeshur ndërsa përqafonte atë në shtëpinë e tyre.