Fshati Val në krahinën e Martaneshit është një fshat i bukur, mes malesh, por fatkeqësisht i izoluar dhe i harruar.
Ai ndodhet në skajin perëndimor të Njësisë Administrative Martanesh, Bashkia Bulqizë.
Deri në maj të vitit 1996 kjo krahinë ishte pjesë e rrethit të Matit, por politikanët e kohës, për qëllimet e tyre të mbrapshta e bashkuan me Bulqizën.
Fshati prej dekadash është lënë në harresë. Shqetësimi kryesor për banorët e mbetur këtu është mungesa e rrugës. Për shumë vite Vali mbeti edhe pa energji elektrike, por falë ndërhyrjes së OSHEE Burrel ky problem u zgjidh.

Largimi masiv i banorëve të Valit ndodhi në vitet 1995-2000. Ato u vendosën në Tiranë e Durrës, në kërkim të një jete më të mirë.
Problem tjetër është mungesa e ujit të pijshëm. Kurrë nuk është investuar në këtë fshat të largët për ndërtimin e një ujësjellësi që do t’u vinte në ndihmë banorëve dhe zhvillimit të blektorisë.
Udhëtimi i banorëve të Valit është sfilitës. Për të mbërritur në Bulqizë, për të kryer një shërbim të caktuar, ata duhet të udhëtojnë afro 200 kilometra, në intinerarin Val-Bizë-Tiranë-Milot-Burrel-Klos-Bulqizë.
Zgjidhja është e thjeshtë. Një rrugë 4 kilometra, Val-Blishtë, do të lidhte fshatin e harruar me qytetin e Krastës dhe pastaj Bulqizën. Po ashtu Blishta lidhet me Rrugën e Arbërit me vetëm 2 km rrugë.

Një zgjidhje banorët e Valit historik e meritojnë!