Në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë e COVID-19, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi iu ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të respektojnë masat e marra nga qeveria dhe zbatojnë këshillat e mjekëve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Hysi zbuloi se Komisioni i Ligjeve fillon së shpejti procedurën parlamentare për shqyrtimin e akteve normative me fuqinë e ligjit të nxjerrë nga qeveria, ndërsa i vlerësoj këto masa të ekzekutivit se tejet të domosdoshme. Mes të tjerash, deputetja e Partisë Socialiste komentoi foli edhe për vendimin e ministrave të Jashtëm të B, të cilët kanë dhënë “OK” për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa theksoi se vendi jonë e meritonte, pasi sipas saj, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri i ka përmbushur kushtet e kërkuara nga Brukseli.
-Prej disa ditësh Shqipëria është në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të COVID-19, ndërkohë që qeveria shqiptare ka marrë një sërë masash drastike për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Si i shini këto masa dhe sa do të ndihmojnë?
Shqipëria sikurse shumica e vendeve të botës po kalon një situatë jo të zakonshme të shkaktuar nga virusi Covid-19. Bazuar në këshillat e profesionistëve të fushës, atyre në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar dhe përvojave të vendeve të tjera që e kaluan pak më parë ose janë duke e përballuar me këtë situatë, distancimi shoqëror është i domosdoshëm. Unë nuk jam eksperte e fushës, por si qytetare ndjek me vëmendje dhe zbatoj me korrektesë këshillat e profesionistëve të fushës që i vlerësojë të drejta. Këputja e zinxhirit të infektimit, mbrojtja e disa grupeve shoqërore, e vetes dhe familjes, dhënia kohë mjekëve dhe stafit mjekësor t’i përkushtohen siç duhet atyre që kanë nevojë për përkujdesje mjekësore është e nevojshme. Komisioni i Ligjeve fillon së shpejti procedurën parlamentare për shqyrtimin e akteve normative me fuqinë e ligjit të nxjerrë nga qeveria dhe personalisht vlerësoj nevojën e tyre.
-Në kuadër të forcimit të masave për të përballuar situatën kundër koronavirusit qeveria ka miratuar një paketë financiare për t’i ardhur në ndihmë bizneseve. Kjo paketë do kalojë dhe në Parlament, ku konsiston ajo?
Paketa financiare së shpejti do të diskutohet në komisione. Sikurse shumica e njerëzve që qëndrojnë në shtëpi, me paketën janë njohur nga media dhe këto ditë do të studioj aktet normative, përfshirë edhe atë për ndryshime në buxhetin e vitit 2020. Bizneset kanë nevojë për mbështetje, sidomos atë që nuk mund të ushtrojnë aktivitetet e tyre. Situata ekonomike, pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 dhe për shkak të betejës me Covid-19 është e vështirë, por besoj se biznesi do të ketë mbështetjen e nevojshme dhe brenda mundësive financiare të buxhetit të shtetit.
– Si paraqitet situata në zonën tuaj elektorale dhe a janë të ndërgjegjësuar qytetarë për koronavirusin, duke zbatuar masat e qeverisë dhe këshillat e mjekëve?
Në vlerësimin tim, jo vetëm në zonën zgjedhore ku janë ngarkuar të punoj, por në gjithë Tiranën ka një ndërgjegjësim të qytetarëve për të respektuar rregullat e reja që na imponon kjo situatë. Shumica e qytetarëve respektojnë distancimin shoqëror, sikurse ka nga ata që ende nuk janë ndërgjegjësuar dhe përfitojnë nga periudha e lejuar për lëvizjet më të domosdoshme. Punonjësit e njësisë administrative dhe administratori i njësisë janë në krye të punës për të ndihmuar familjet në nevojë. Vlerësoj angazhimin e shpejtë të njësisë administrative për përditësimin e të dhënave të familjeve në nevojë, të pensionistëve të vetëm, të atyre që kanë fëmijë, por i kanë jashtë Tiranës ose jashtë vendit. Vlerësoj kujdesin që tregojnë vetë banorët, fqinjët për fqinjin që mund të ketë nevojë dhe ndihma që u japin atyre.
-Megjithatë, opozita po e shfrytëzon situatën për të bërë politikë dhe hedhur akuza në adresë të qeverisë. A është normale kjo sjellje?
Në të gjitha vendet, në situate të tilla, partitë politike bëhen bashkë për të ofruar zgjidhje sa më të mira për përballimin e situatës dhe kalimin sa më lehtë të saj. Gjatë një mandati qeverisës, çdo parti që është në opozitë ka mjaftueshëm kohë dhe çështje me të cilat mund të bëjë politikë, por jo në situate të tilla që cilësohen si një luftë ndaj një virusi të rrezikshëm. Le ta lënë betejën politike pasi ta kalojnë këtë situatë.
– A ka ardhur koha që politika të bëhet bashkë, sidomos kur jemi në kësisoj situatash, kur qytetarët kanë më shumë nevojë për bashkim e besim, sesa për ndasi e përçarje?
E theksova edhe më lart, të gjithë duhet të jemi bashkë në këtë periudhë, të përcjellim te qytetarët besim dhe t’i inkurajojmë të respektojmë rregullat e përcaktuara nga profesionistët e fushës. Në radhët e opozitës ka shumë mjekë në profesion. Do të dëshiroja që sot të kishin veshur bluzën e mjekut dhe të kontribuonin me përvojën e tyre në përballimin e situatës. Është e lehtë të kërkosh llogari kur je në opozitë, por në situate të tilla populizmit është më i rrezikshëm se në kohë të tjera.
-Për shkak të pandemisë së koronavirusit shumë institucione publike dhe jopublike kanë mbyllur dyert sikundër është edhe Parlamenti. Nëse do vijohet kështu edhe për disa ditë keni ndonjë plan si do të vijojë punën Kuvendi dhe komisionet parlamentare?
Po, Parlamenti nuk zhvillon mbledhje komisioni dhe seanca plenare, por ne punojnë nga shtëpia. Programi dhe kalendari i punimeve i miratuar nuk është realizuar plotësisht dhe kemi projektligje në diskutim ose në proces pune. Këto ditë, bazuar në aktin normative të miratuar nga qeveria, komisionet janë angazhuar dhe janë bërë gati platformat online, të cilat janë testuar. Se shpejti fillojnë mbledhjet e komisioneve online.
– Keni një mesazh sensibilizues për qytetarët?
Së pari, përfitoj nga rasti të përcjellë disa mesazhe për disa njerëz që sot janë në shërbim të qytetarëve duke rrezikuar edhe vetën e tyre. Mirënjohje dhe respekt për mjekët, stafin mjekësor, mbështetës dhe gjithë ata që shërbejnë në vijën e parë të betejës me Covid 19! Kjo situatë do të kalojë dhe ne si pjesë e politikës, por edhe qytetarët nuk duhet të harrojmë atë ç’ka këta njerëz bëjnë çdo ditë, por sidomos në raste të tilla si epidemitë dhe pandemitë. Me shumë mirënjohje dhe respekt çdo ditë të punës së tyre, jo vetëm sot që nevoja për ta është kaq e madhe. Mirënjohje dhe respekt për punonjësit e policisë, të emergjencave civile, arsimit, shërbimeve publike dhe jopublike, prodhuesit, fermerët, blegtorët, punonjësit e medias që punojnë pa u lodhur dhe më shumë sesa në një situatë normale. Ata kanë nevojë për tu respektuar dhe mbështetur nga të gjithë dhe çdo ditë. Kam një mesazh për të gjithë qytetarët: të gjithë punonjësit që na shërbejnë sot, ndërkohë që ne rrimë në shtëpi kanë familjet e tyre, fëmijët, janë prind, motër ose vëlla i qytetarëve tanë. Ata duhen ndihmuar dhe puna e tyre nuk duhet vështirësuar. Kjo kërkon një gjë fare të lehtë: të qëndrojmë në shtëpi, kur nuk jemi pjesë e këtyre shërbimeve, të kufizojmë sa të jetë e mundur daljet nga shtëpia, të respektojmë rregullat dhe ligjet, t’i përgëzojmë dhe t’i respektojmë ata në çdo moment. Për ne që jemi pjesë e polikbërjes mesazhi për vetëm dhe kolegët e mi është i qartë: më shumë vëmendje kur diskutojmë dhe miratojmë ligje që rregullojnë veprimtarinë e tyre, më shumë kujdes në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe krijimi i kushteve më të mira të punës për ta.
-Por në një kohë kur Shqipëria po zhvillon luftën e saj me koronavirusin, lajme të mira vijnë nga Brukseli për sa i përket negociatave. Ministrat e Jashtëm dhe të Çështjeve Evropiane të BE kanë dhen sot “OK” për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Keni një koment?
Shqipëria mori atë që i takonte ta merrte prej kohësh: vlerësimin për reformat
e ndërmarra, shpesh të forta, por të domosdoshme. Situata ku gjendeni nuk na
lejon ta shijojmë si duhet këtë lajm të mirë, hapin që na ofron më afër më
Bashkimin Evropian dhe që në të njëjtën kohë shtron rrugën e përshpejtimit të
shumë reformave të tjera për të mirën e vendit dhe qytetarëve. Shpreh
falënderimet për të gjithë ata që na mbështetën dhe besoj fort se sikurse
qeveria dhe Parlamenti do të punojnë për të vijuar me përmbushjen e detyrimeve
që burojnë në kuadër të anëtarësimit të plotë. Parlamenti ka një rol të
rëndësishëm në këtë proces mes Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe
komisioneve parlamentare; në ushtrimin e funksioneve legjislative, të kontrollit
parlamentar dhe detyrave specifike në fushën e integrimit evropian.