Ish-kapiteni i ekipit kombëtar shqiptar, Rudi Vata, ka komentuar listën e futbollistëve për ndeshjet miqësore për të mbledhur fondet për viktimat e tërmetit dhe e ka cilësuar një listë të përgatiturnga persona të cilët nuk kanë kapacitetin e duhur. Në “Pressing” ai nuk ngurroni të cilësonte këtë edhe një zgjedhje të bërë nga persona të paaftë, si dhe falë interesave personale apo lidhjeve të krijuara prej tyre e jo me meritokraci.
“Nuk është diçka që më ka krijuar shqetësim apo prishur diçka në karrierën time, të vjen keq që dikush ka menduar të bëjë gjërat siç ka bërë. Ajo është në kulturën, edukatën e mentalitetin e tyre, unë jetoj mirë me çdo vendim që merret apo trajtim të situatave nga organet që e kanë për detyrë të merren me këtë e vlerësojnë siç duhet.
Fatmirësisht e njohim njëri-tjetrin, unë karrierën e kam fituar pa nepotizma, ata në fushë e dinë shumë mirë se çfarë pune kam bërë unë për të arritur në ato nivele nëpërmjet sakrificës. Nuk jam i ofenduar, se njerëzit që mund të vlerësojnë, nuk kanë kapacitetin e duhur profesional për të më vlerësuar, ndaj i kam përfshirë në qokaxhinj, ata e njohin veten. Unë nuk kam qenë pjesë e tyre, as kam marrë pjesë në nepotizma, unë punën time e kam fituar me djersë e sakrifica. Ju flitni për talente që nuk arrijnë të shkojnë në nivele të larta, ka 29 vite që Shqipëria ka fituar liri, por futbollistët shqiptarë nuk janë në gjendje të përballojnë standardet europiane kur jemi më mirë se në fillimin e viteve ‘90. Unë atë që kam arritur e kam arritur vetë.
Ai që ka bërë listën nuk ka kapacitete normale, njerëzore, profesionale, nuk i ka për të bërë listën. Këto njerëz do të ngacmojnë, gërmojnë, por brezat e rinj do ta pësojnë, sepse janë qokaxhinjtë, janë mësuar me shoqëri. Por në futboll shumë pak shokë i ke shokë, se është sport që kudo do të arrijë në nivele më të lartë, ka egoizëm profesional. Ne nuk arrijmë qëllimet që kemi. Qëllimi duhet arritur nëpërmjet luftës e sakrificës.
Nuk jam i dëshpëruar se disa prej atyre që janë thirrur nuk kanë kapacitetet për të qëndruar pranë meje, se nuk ndajmë të njëjtat qëndrime. Kemi luajtur bashkë që me ekipet U15, ne e njohim mirë njëri-tjetrin, kush ka bërë dredhi, kush ka qenë tinëzar e kush ka qenë tradhtar. Unë nuk kam bërë asnjë nga këto e prandaj jam krenar.
Unë dhe Duka jemi karaktere të kundërt, nuk pajtohem në ide, nuk më pëlqen mënyra si punojnë se nuk ka profesionalizëm të mjaftueshëm në FSHF. Ka njerëz që kanë dëshirë të punojnë, por janë forcë e vogël. Pjesa tjetër janë persona që nuk kanë kapacitetet njerëzor e kanë arritur në ato nivele nëpërmjet nepotizmit të lartë, nuk mund të japin shembuj se të rinjtë kanë nevojë për njerëz të sakrificave, sidomos ato që kanë luajtur në Europë, që kanë luftuar për të përfaqësuar Shqipërinë me krenari. Ka njerëz si Tare e Lala, por ka edhe si ata që nuk ia kanë dalë jashtë e janë kthyer në Shqipëri se e kanë pasur më të lehtë me qoka e miq. Unë jam kundër kësaj, se unë si person nuk kam inat askënd, por kalojnë vite e brezat e rinj po rriten me dukatën e mbrapshtë, nuk kemi shembuj që të rinjtë të përballen me ABC e futbollit që ta marrin në embrion. Ata që janë aty kanë zaptuar vendin, janë të trashë, mundohen të hollohen por prapë të trashë mbeten”, tha Vata.