Vdekja e tregtarit polak të armëve Andrzje Izdebski në Shqipëri ka sjellë tronditje në Poloni, teksa ka dhënë dorëheqjen kreu i Shërbimit Sekret të Jashtëm, Piotr Krawczyk.
Sipas medias polake Fakt, dorëheqja e tij vjen menjëherë pas vdekjes së tregtarit të armëve. Andrzje Izdebski ishte shpallur në kërkim nga drejtësia polake pasi kërkohej për mashtrimin me 1241 respiratorët, por u gjend i vdekur në Shqipëri,.
“Gjurmimi i tij nuk u bë i mundur dhe kjo ka ngritur dyshimin nëse Shërbimi i Jashtëm Sekret Polak ishte në lartësinë e detyrës”, shkruan media polake. Sa i përket dorëheqjes së Piotr Krawczyk gazeta i referohet burimeve zyrtare sipas të cilave ai është larguar nga detyra për arsye personale.
Ndërkaq, ish-agjent i Shërbimit Sekret Polak, Grzegorz Małecki ka deklaruar se tregtia e armëve që bënte polaku Izdebski nuk ishte konform ligjit dhe “Andrzje Izdebski bënte tregtinë e armëve që në shumë raste nuk ishte konform ligjit. Pastaj ai u mor me blerjen e respiratorëve për qeverinë polake. Ai mori një madhe parash. Por, rrethanat se si ai vdiq tregojnë se nuk kishte para. Ndoshta ai e dinte se ku kishin shkuar paratë, por tani me vdekjen e tij vështirë se do ta mësojmë”, është shprehur Malecki.