Ligji i ri për Kadastrën që hyn në fuqi pas pak ditësh, parashikon ndër të tjera jo vetëm regjistrimin e tokave dhe të ndërtesave por gjithashtu edhe të pasurive natyrore që gjenden në to.
Referuar nenit 62 të ligjit të ri, çdo pemë,në tokë shtetërore apo private do të regjistrohet në zyrën kadastrale të vendit ku ndodhen.
“Pronari i tyre duhet të paraqitet me një hartë dhe me një inventar të detajuar të pemëve që gjenden në pronën e tij. Për pemët në parqe publike dhe pyje rolin e pronarit e kryen autoriteti shtetëror, sipas legjislacionit përkatës” përcaktohet në ligj.
Pas paraqitjes së hartës, inventarit të pemëve dhe një kërkese, drejtoria vendore, përkundrejt pagesës, duhet të pajisë pronarin me sasinë e nevojshme të matrikujve, të cilat është i detyruar t’i vendosë në çdo pemë, raporton Scan.
Ligji parashikon gjithashtu se Këshilli i Ministrave do të përcaktojë rregulla të detajuara për këtë proces, si dhe për pasqyrimin në hartat kadastrale të pasurive natyrore, si male, lumenj, liqene, basene, miniera, puse nafte e çdo pasuri tjetër natyrore.