Nga sheshi “Skënderbej” në takimin me 6000 punonjësit e Bashkisë së Tiranës, Rama ia la në dorë drejtësisë që të caktojë nëse Veliaj është apo jo fajtor për akuzat që janë ngritur mbi të.
”Nuk më takon mua të them nëse Lali Eri është i pafajshëm apo fajtor dhe pavarësisht se çfarë mendojmë ne këtu barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim edhe në këtë rast dhe t’ia lë drejtësisë ta ndajë këtë dilemë, duke mbështetur pavarësinë e organeve të drejtësisë”, tha shefi i qeverisë.
Rama kërkoi që pavarësisht betejës së Veliajt me drejtësinë, socialistët e Tiranës të mos dorëzohen, aq më tepër kur vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Kryeministri përcaktoi edhe objektivin kryesor të stafit të Bashkisë dhe punonjësve të saj, ndërsa u dha garanci se ai do të jetë në krah të tyre derisa drejtësia të vendosë për Veliajn.
”Barra juaj e përbashkët është që makineria e Bashkisë të Tiranës të mos fiket asnjë minutë, por të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Unë jam këtu për t’ju thënë të gjithëve ju se deri kur çështja e kryetarit të Bashkisë të marrë drejtim në një formë apo tjetër, vëmendja ime për Tiranë, bashkinë, problemet dhe nevojat e punës suaj do të jetë e pandërprerë”. Fjalën e mbylli duke kërkuar nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme që të ndalin praktikën e burgosjes së kryebashkiaëve pa gjyq.