Anjeza Shahini ka qëndruar larg muzikës duke qenë se ndodhet jashtë Shqipërisë ku ka krijuar dhe familjen e saj.
Këngëtarja është martuar me Paul Edward Conolly dhe në mars ajo solli në jetë vajzën Victoria. Por a do të ishte një pauzë kjo në muzikë dhe një rikthim më pas i fuqishëm?
Vetë Anjeza i ka shuar këto dyshime duke thënë se nuk do të kthehet më për të konkurruar në festivale, por jo se do të heq dorë nga pasioni për këngën. Në një video të postuar në Instagram të këngës së saj “Energji” me të cilën ka marrë pjesë në “Kënga Magjike” pesë vite me parë, ajo thotë se me këtë këngë ka mbyllur konkurrimet nëpër festivale.
“Më vjen mirë që konkurrimet nëpër festivale i mbylla me këtë këngë plot energji dhe ngjyra”, shkruan Anjeza.
Madje në një nga komentet e fansave të saj e pyesin nëse e ka lënë muzikën. Përgjigja e saj është: Jo, patjetër që nuk e lë këngën asnjëherë.
Megjithatë përmes postimeve në rrjetet sociale ajo tregon se nuk ka hequr dorë nga kënga, ndërkohë që aktualisht punon si mësuese për brezin e ri të këngëtarëve.