Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e cilëson si dhunim flagrant të Parlamentit vendimin e qeverisë “Rama 3” për të sekuestruar ndërtimet dhe katet pa leje. Berisha theksoi se bazuar në këto dispozita, për një kotec, për një gjysmë çatie, për një avlli, apo një shtesë dhome, janë dënuar me burg 3 mijë e 400 qytetarë shqiptarë.
“Ligjet e vendit, kanë parashikuar se çdo ndërtim pa leje konfiskohet, dhe se autori i këtij ndërtimi, dënohet sipas llojit të ndërtimit, pesë deri në 8 vjet burg. Këto janë dispozitat e përcaktuara në kodin penal dhe të votuara nga kjo pseudo-mazhorancë.
Bazuar në këto dispozita, për një kotec, për një gjysmë çatie, për një avlli, qoftë për një shtesë dhome, janë dënuar me burg 3 mijë e 400 qytetarë shqiptarë.
Janë ndjekur penalisht mijëra e mijëra të tjerë. Kurse tani, kur vjen problemi te kullat e qeverisë, te pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ta ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre. Ky është një provokacion i ulët për çdo shqiptar. Ky është dhunim flagrant i parlamentit, i cili është i vetmi institucion që ka të drejtën e amnistisë”.