Të paktën 52 persona janë plagosur nga përleshjet mes protestuesve kundër regjimit të presidentit Nicolás Maduro, në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas. 16 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Përplasjet nisën mesditën e sotme pas të ashtuquajturës tentativë për grusht shteti, kur një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve në forcat e armatosura venezueliane dezertuan duke iu bashkuar përkrahësve të presidentit të vetëshpallur Juan Guaidó.
Zyrtarë të lartë në Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se ajo që po ndodh në Venezuelë nuk është grusht shteti. Sakaq CNN raporton se regjimi venezuelian ka ndërprerë sinjalin televiziv të këtij rrjeti mediatik.