Komisioni i Sigurisë Kombëtare rrëzoi me shumicë votash dekretin e Presidentit Ilir Meta për ndryshimet në ligjin për vettingun e punonjësve të policisë.
Deputetët theksuan se këto ndryshime nuk cenojnë thelbin e ligjit, i cili është tashmë i pranuar dhe nga një pjesë e opozitës e cila nuk është më në parlament.
Duke iu përgjigjur akuzave të deputetit të LSI, Petrit Vasili, Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj i kujton Vasilit se “reputacioni i veprimeve tona në publik, matet edhe duke u nisur nga kush është ai që këlthet, e në rastin konkret e kemi të lehtë të kuptojmë, ne dhe të gjithe, që kemi bërë gjënë e duhur”.
“Këto ndryshime s’cënojne asfare thelbin e ligjit, i pranuar dhe nga një pjesë e opozitës sot në arrati. Përkundrazi thjeshtojnë mekanizmin e vetimit dhe sigurojnë kryerjen me efektivitet dhe profesionalizëm të tij!
Ndonëse dekreti s’kishte asnjë argument që t’i referohej ndonjë neni kushtetues sikur kjo kompetencë e Presidentit thelbësisht e kërkon, mori pergjigje çdo “përsiatje”, deri në fund!
Ndërkohë, dikujt që qënka shqetësuar nga kjo ndodhi, na duhet t’i kujtojmë, se reputacioni i veprimeve tona në publik, matet edhe duke u nisur nga kush është ai që këlthet, e në rastin konkret e kemi të lehtë të kuptojmë, ne dhe të gjithe, që kemi bërë gjënë e duhur”, thekson kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj.