Barcelona ka mposhtur për herë të dytë brenda pak ditëve në Amerikë, Napolin. Skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde tregoi supremacinë ndaj italianëve, ndërsa të kaltrit e Ançelotit u dorëzuan pa kushte ndaj sulmit katalanas.
Napoli arriti t’i përballojë blaugranët vetëm në pjesën e parë, teksa 45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura. Sakaq, në fraksionin e dytë, Barcelona e nisi me gol, teksa në minutën e 48 zhbllokuan rezultatin me golin e Luis Suarez. Ndërkohë, ritmi i katalanasve ishte i lartë dhe pas 8 minutash erdhi edhe realizimi i parë i Antuan Grizman me fanellën e re, i cili finalizoi një aksion tipik të spanjollëve.
Italianët nuk arritën të reagonin dhe pësuan edhe dy herë të tjera, sërish me Suarez dhe në fund me Dembele. Për Napolin, mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë Elseid Hysaj, e nisi si titullar takimin, ndërsa u aktivizua deri në minutën e 62.