Ish-kryeministri, Sali Berisha u është drejtuar përmes një fjalimi nga dritarja simpatizantëve të tij, të mbledhur poshtë banesës ku ai prej disa ditësh ndodhet në arrest shtëpiak.
Berisha tha se në momentin që ata do të jetë i lirë do ngrihemi dhe “nuk do të ketë tunel e vrimë më për Edi Ramën.”
“Kjo është një protestë e shenjtë, e shenjtë sepse e shenjtë është fjala e lirë. Sot ne jemi këtu në protestë për fjalën e lirë. Një nga martirët e gjallë të fjalës së lirë, Salman Rushdie thotë se fjala e lirë është gjithçka, është vetë jeta.
Pa fjalën e lirë nuk mund të jesh kurrë njeri me dinjitet. U drejtohem sot qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe sot kjo protestë duhet të jetë një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Mos u mërzitni, mos u lodhni e mos u trembni. Sot paratë e drogës, falangat e krimit që kanë pushtuar çdo institucion vërtet mbjellin frikë e terror, por ata e bëjnë këtë vetëm se nuk ngrihemi ne. Në momentin që ne ngrihemi nuk ka tunel e vrimë më për Edi Ramën, në Surrel, Tiranë e as në Shqipëri!” tha Berisha mes të tjerave.