Në Kupën e Greqisë, Fiorin Durmishaj di se si të bëjë gola. Futbollisti 20 vjeçar i kombëtares shqiptare, që aktivizohet me Panionios, ka shënuar golin e barazimit për ekipin e tij kundër PAOK në çerekfinalen e Kupës së Greqisë.
Pasi eliminoi Gianninën e Andi Lilës, me dy gola të tij, Durmishaj gjen sërish rrjetën në takimin e parë të Panionios kundër PAOK, i luajtur në shtëpi për skuadrën e sulmuesit shqiptar.
Goli i Fiorin Durmishaj ka ardhur në momentin e duhur, kur PAOK ishte duke fituar takimin pasi shënoi i pari me Suiderski në të 58`, Durmishaj barazon shifrat në të 74`. Një aksion perfekt në krahë nga lojtarët e Panionios , që futen në zonë, nxjerrin portierin mik blof, duke pasuar te Durmishaj që gjendet në shtyllën e dytë dhe me portën e boshatisur shënon.
Kështu gjithçka vendoset në ekuilibër, teksa skuadra e Durmishaj shënon edhe golin e avantazhit me Stavropulos në të 90+1`. Tashmë Panionios është me një këmbë në turin e gjysmëfinaleve të Kupës së Greqisë, duke pritur dhe takimin e kthimit ndaj PAOK.
Ky ishte goli i dhjetë sezonal për Durmishaj me fanellën e Panionios, teksa gjashtë realizime i ka në kampionat dhe katër në Kupën e Greqisë.