Fronti i parë në një protestë janë policët, ata që duhet të ruajnë sigurinë dhe rendin por dhe të parët që sulmohen. Në protestën e opozitës të enjten, jo pak herë u tentua të çahej kordoni i policisë, por pa ia arritur qëllimit.
Përtej kësaj situate të përgjithshme që ndodh në protesta, është dhe ana njerëzore. Ata që protestojnë nuk shfryjnë inatin dhe zemërimin duke dhunuar policët, por dhe këta të fundit mundohen të jenë të vetëpërmbajtur, pasi përballë nuk kanë “armikun”, por shqiptari-shqiptarin.
Në këtë video të realizuar nga operatori i talentuar Arjan Isa dallohet mjaft qartë një polic që përqafohet e përshëndetet me një prej protestuesve, dhe në këtë veprim nuk hyn fare politika. Të gjithë jemi shqiptarë dhe nuk luftojmë kundër njëri-tjetrit, pavarësisht bindjeve politike.
Një ditë më parë Monika Kryemadhi do të shprehej se policët nuk pranojnë as shishet e ujit nga protestuesit me frikën se shkarkohen nga puna. Por kjo video tregon të kundërtën. Në fund të fundit, dhe pse në llogore të ndryshme, jemi vëllezër, jemi shqiptarë.