Ekstradimi i Arbër Çekajt, pronarit të “Arbi Garden”, i ludhur me sasinë rekor të kokainës të kapur në portin e Durrësit u bë i ditur paraditen e të enjtes nga zv.drejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj.
“Po sot nga Interpol Tirana është duke u kryer ekstradimi nga Gjermania në Shqipëri i Arbër Çekaj”, tha Hajnaj.
News 24 ka siguruar pamjet e transferimit të Çekajt në burgun 313 në Tiranë. Transferimi i tij është bërë në masa të rrepta sigurie.
Çekaj u arrestua në Gjermani, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare lidhur me sasinë prej 613 kg kokainë që u zbulua në magazinat e kompanisë “Arbi Garden”, e cila po merrte në dorëzim porosinë me banane të ardhura nga Kolumbia. Mes bananeve ishte fshehur dhe lënda narkotike.