Prej një muaji e gjysmë nuk ishte titullar në radhët e PSG-së, por sapo është kthyer në fushë, Nejmar ka treguar se nuk ka harruar aspak shijen e spektaklit në tapetin e gjelbër. Braziliani ka qenë pjesë e formacionit që nga minuar e parë në ndeshjen ndaj Lilës dhe ka dhënë spektakël me lëvizjet e tij duke treguar sa i mungonte fusha e lojës.
Pak minuta pas fillimit të takimit, të gjithë mbetën të mahnitur nga një gjest teknik, i cili la të shtangur tre kundërshtarë njëherësh pasi ishte një pasim me thembër ndërsa po rrotullohej mes tyre.
Sigurisht, pamjet u bënë brenda pak çasteve virale në rrjetet sociale me mijëra shpërndarje, që kalojnë për pak momente në plan të dytë telashet që ka përjetuar futbollisti jashtë fushave të lojës e diskutimit të pandërprerë për të ardhmen e tij në radhët e parisienëve.