Policia e Shtetit ka organizuar një operacion të gjerë kontrolli në ambiente të mbyllura për parandalimin e kultivitimit të bimëve narkotike.
Në operacionin e nisur ditën e enjte u angazhuan 289 grupe kontrolli nga Drejtoritë Vendore të Policisë dhe Drejtoritë Vendore të Kufirit e Migracionit, ku morën pjesë 1.110 punonjës policie me 203 automjete policie dhe 2 mjete lundruese.
Gjithësej u kryen 4922 kontorlle dhe rikontrolle, në 1795 sera/minisera, 1036 magazina/objekte, 883 ish objekte ushtarake, 509 shtëpi të braktisura, 299 stane/stalla, 407 ambiente të hapura dhe 43 parcela të kultivuara në vitet 2016-2017.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në territor dhe në ambiente të mbyllura nuk është konstatuar asnjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Grupet e monitorimit të DPPSH, të cilët janë përgjegjëse për territoret e caktuara për monitorim kanë ndjekur operacionin në të gjithë territorin e vendit.
Kontrollet do vijojnë në mënyrë periodike në bashkëpunim edhe me aktorë dhe agjenci të tjera përgjegjëse, të përfshira në Planin Kombëtar të Veprimit për parandalimin e kultivimit të kanabisit.