Qytetarët nuk do të kenë nevojë të harxhojnë kohë për të blerë kuponë në postë për pasaportë, apo letërnjoftime elektronike. Të gjitha pagesat mund të kryhen online, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të lehtë.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt ofrimit të shërbimeve më të avancuara dhe efikase për qytetarët. IdentiTek ofron mundësinë e prodhimit të ID kartave apo Letërnjoftimeve Elektronike në një kohë shumë më të shpejtë, përmes një pagese shtesë. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe administratorja e IdentiTek, Freskida Halilaj panë nga afër procesin në një zyrë aplikimi.
”Pasaporta jonë ka një siguri shumë të lartë duke luftuar në këtë mënyrë terrorizmin, por duke përmirësuar edhe imazhin e pasaportës sonë në arenën ndërkombëtare. Kjo pasaportë do të jetë e vështirë për t’u falsifikuar.
Ne kemi një standard të ri të sigurisë së pasaportës shqiptare, e cila do të jetë shumë afër me vendet e BE. Kjo është shumë e vërtetë, pasaportat tona aktualisht identifikohen në mënyrë automatike nëse janë origjinale ose jo, pra nëse janë gjeneruar nga IdentiTek, ose jo”, tha Halilaj.
Ndryshimet u përgjigjen kërkesave të shumta nga qytetarë shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë, e nuk kanë mundësi të presin dy javë për të rinovuar ID kartën.