Një turist, i cili u filmua duke gdhendur emrin e tij dhe të dashurës së tij në Koloseun në Romë, është përfshirë në telashe, pasi veprimi i tij ka revoltuar autoritetet.
Ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano, thotë se turisti duhet të identifikohet dhe të ndëshkohet për veprimin e bërë. Sangiuliano e përshkroi veprimin e turistit si “të padenjë dhe një shenjë e pafytyrësisë së madhe”.
“Unë e konsideroj shumë serioze, të padenjë dhe një shenjë të paftyrësie të madhe që një turist prish një nga vendet më të famshme në botë, Koloseun, për të gdhendur emrin e tij dhe të fejuarës. Shpresoj që kushdo që e ka bërë këtë do të identifikohet dhe sanksionohet sipas ligjeve tona”, shkruan ministri Sangiuliano.
Nëse turisti kapet, ai rrezikon një gjobë prej 15,000 € dhe mund të dënohet me burg, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.