Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi këtë të premte se tregu i përbashkët rajonal është domosdoshmëri sa i takon zhvillimit të ekonomisë.
“Vetëm në vitin e fundit nëpërmjet nismave që kemi marrë, nëpërmjet reduktimit të barrierave tarifore dhe jo tarifore ne kemi arritur të rrisim me 26 milionë euro tregtinë me vendet e Ballkanit të Hapur, pra me Maqedoninë e Veriut dhe me Serbinë. 28.5% janë rritur eksportet shqiptare gjatë 6 muajve të parë të vitit me Serbinë dhe 25.6% janë rritur eksportet e produkteve shqiptare ndaj Maqedonisë së Veriut”,-tha ministrja gjatë një takimi me dhomat e biznesit mbi rekomandimet e tyre për përmirësimin e klimës dhe forcimin e dialogut për të rritur reciprokisht kontributin në funksion të zhvillimit ekonomik e social të vendit.
Ministrja tha se problemi që bizneset kanë pasur sa i takon lejeve të qëndrimit për të huajt dhe lejet e punës do të marrin zgjidhje në fillim të vitit të ardhshëm. Ajo tregoi se sistemi do të jetë gati në mënyrë që të mos ketë dy aplikime për të njëjtin qëllim.