Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u qëllua pasditen e kësaj të enjteje më qershi nga anëtarë të Partisë Socialdemokrate të Kosovës gjatë një aksioni simbolik para ndërtesës së qeverisë.
Kreu i kësaj force politike, Dardan Molliqaj ka ndarë momentin e sulmit, akt që u ndërmor pas firmosjes së marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kryeministri po i përdorë diskutimet me qytetarë si platformë për t’i ikur temës kryesore, koncesionit. Ai është i interesuar që tema e mbrëmshme të harrohet sa më shpejt, sepse prapa pranimit të djeshëm për çështjen minore, si puna e targave, fshihej çështja madhore, pranimi i Asociacionit. Ato data e afate ishin për ta ushqyer imazhin prej rezistenti, i cili i dështoi. Kryeministri i hëngri fjalët e tij. Secilën. Bash sikur fabula me qershi. E dëmin po e hanë qytetarët e vendit, pa dallim. z. Kryeministër, qershizat janë veç për juve”, thuhet në komunikatën e publikuar nga PSD.