Ka nisur me përplasje mosbindja civile e PD, konkretisht në rrugën e Elbasanit pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku protestuesit me deputetët e PD janë përplasur me forcat e policisë. Ka edhe të arrestuar, por edhe një protestues është shoqëruar drejt spitalit, pasi ra në tokë pas përplasjes së nisur. Janë qindra forca policie që kanë marrë masa për protestën. Momente tensioni dhe shtyrje mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Një grup deputetësh të Partisë Demokratike, ku bëjnë pjesë Xhelal Mziu, Edmond Spaho dhe Flamur Noka janë përplasur fizikisht me efektivët e policisë pranë kryqëzimit te Rruga e Elbasanit. Madje ishte vetë Sekretari i Përgjithshëm i PD që ka tentuar t’i marrë nga dora megafonin një prej policëve që po bënte thirrje për lirimin e rrugës.
Më pas gjatë momentit kur po shtynin kordonin e policisë, Noka ka goditur dy herë me shpullë një prej efektivëve të policisë, madje duke e shtyrë teksa e kapi prej fyti. “Ec aty, ti hapu. Hape rrugën”, është thirrja e Nokës.
Nga ana tjetër, në sheshin ”Willson” ku ndodhet edhe Gazment Bardhi, policia u kërkoi protestuesve të zhbllokojnë qarkullimin. Po ashtu Bardhi debatoi me policët duke u thënë se ua njeh Kushtetuta të drejtën për tubim paqësor.