Real Madrid ka marrë një fitore shumë të vuajtur përballë Ajaksit në Amsterdam, në një ndeshje me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve që kishte brenda gjithçka.
Vendasit u treguan një kockë e fortë për kampionët në fuqi, të cilët u gjendën shpesh në vështirësi në këtë sfidë dhe në pjesën e parë mund ta shihnin veten në avantazh pas golit të Taljafiko. Por gjyqtari Skomina e anuloi me VAR për ndërhyrje ndaj portierit Kuartua dhe ekipet shkuan në pushim të ndeshjes me rrjeta të paprekura.
Pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Benzema tregoi se është më vendimtar pa praninë e Ronaldos në fushë duke shënuar në portën vendase. Por Zajesh vendosi barazinë në shifra kur mbeteshin dhe 15 minuta lojë.
Dukej gjithçka e mbyllur me një barazim që gjithsesi u bënte punë madrilenëve. Por ata morën një shtysë më shumë në minutën e 87 kur Asensio shtyu topin në rrjetë për t’i dhënë një fitore 2-1 në transfertë kampionëve në fuqi. /vipsport.al/
Ajaks-Real Madrid 1-2
75′ Zajesh / 60′ Benzema, 87′ Asensio