Italia prej disa javësh po përballet me një situatë dramatikë për shkak të virusit të ri që po ‘pushton’ botën, ku janë shënuar me qindra vdekje dhe mijëra të infektuar në ditë.
Kjo është videoja e një mjekeje italiane të infektuar me koronavirus që ka bërë ‘xhiron’ e rrjeteve sociale. Bëhet fjalë për mjeken Daniela De Rosa, e cila ka regjistruar një video nga dhoma e spitalit, ku tha se kishte rezultuar pozitive ndaj koronavirusit dhe simptomat që i janë shfaqur ishin probleme me frymëmarrjen.
43-vjeçarja ndodhet në spitalin e “Rummo” në Benevento, dhe ajo është ndër personat e parë të infektuar në komunën e Ariano Irpino. De Rosa ka publikuar videon në ‘Facebook’ pasi ka dashur që të tregojë historinë e saj si dhe të përcjellë disa mesazhe të forta.
Ajo është shprehur se e ka bërë këtë video që qytetarët të kuptojnë se çfarë vuajtjesh ka kjo sëmundjeje, ku thekson izolimin dhe mungesën e kontakteve me të afërmit, raporton newsbomb. Mjekja shprehet se ka aq kohë e izoluar sa nuk i numuron dot më ditët. Ndërkaq, ajo u ka bërë thirrje të gjithëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndërgjegjësohen.
“Mirëmbrëma të gjithëve. Unë jam doktoresha De Rosa. Mjeke veterinere e provincës të Avellinos. Një ndër rastet e para në Ariano Irpino. Pozitive ndaj COVID-19 . Tani do t’ju shpjegoj se përse jam këtu sot duke pëcjell këtë mesazh. Më vjen keq nëse do të lëndoj ndjeshmërinë e ndokujt për mënyrën se si po e prezantoj veten time, por ka qenë një zgjedhje e menduar sepse një komunikim me shkrim edhe duke e shoqëruar me një fotografi nuk jep të njëjtën ide dhe mendim që dua të përçoj. Jam mbyllur në izolim prej kaq shumë ditësh sa nuk i numëroj më.
Nuk hap dot dritaren, nuk kam kontakte me asnjeri përveç atij me mjekët që vijnë për të më kontrolluar parametrat, dhe kur më sjellin ushqimin. Koronavirusi më shkaktoi një pneumoni shumë të fortë në të dy krahët, që më shkaktoi një insuficiencë të rëndë respiratore. Unë jam një grua 43 vjeçare, që përpara kësaj gëzonte shëndet të plotë, dhe papritur e gjeta veten të lidhur pas këtij respiratori dhe duke luftuar me vdekjen dhe me Covid 19. Pas vdekjes së babait tim, kjo ishte eksperienca më e keqe e jetës time. Kam luftuar që të mund të kthehem, tek vajzat e mia, tek familja ime dhe sot pas tamponit të parë negativ, mora pak shpresë, sepse po fitoj luftën time.
Nuk kam fjalë për ta përshkruar ndjesinë e këtyre ditëve, trupi im, shpirti im, mendja ime…Por një gjë është e sigurt, nëse nuk je i prekur nga kjo fatkeqësi, nuk do ta kuptosh kurrë këtë dhimbje. Kërkoj falje…ky është qëllimi i mesazhit tim. Vetëm sot arrita të flas, pas disa ditë në insuficensë frymëmarrjeje. Jo të gjithë, në mos shumë pak persona, e kanë kuptuar vërtetë se për çfarë po flasim, nuk e di nëse është nga injoranca, apo se nuk kanë mjaftueshëm frikë. Dhe sot unë do të doja që shumë njerëz të më shihnin, të shihnin sytë e mi e trupin tim, vuajtjen që duhet të përballosh për të luftuar këtë virus.
Sa nga ne e kanë respektuar dekretin, sa nga ne janë plotësisht të ndërgjegjshëm për t’u izoluar dhe për të hyrë në karantinë, disa nuk e kanë ndjerë detyrimin ta bëjnë dhe për këtë kanë vënë në rrezik, jetën e tyre, atë të të tjerëve edhe timen, që gjendem këtu për faj të sjelljes të një prej këtyre personave. Secili prej nesh duhet të kishte bërë pjesën e tij, është e kotë të kapesh me institucionet, nëse e dimë se jemi bartës të virusit dhe vazhdojmë qetësisht të shkojmë në punë, apo për pazar. Kemi qenë të gjithë fajtorë të niveleve të ndryshme, por mbi të gjitha kush e ka bërë lirisht duke e ditur që po bën një krim. Çdokush duhet të mbajë përgjegjësi, por pak e kanë bërë dhe po e bëjnë. Ja pse e kam nxjerrë fytyrën, që nuk është e bukur dhe u shfaqa këtu brenda, me ‘mikun’ tim respirator që më shpëtoi jetën bashkë me përkushtimin e mjekëve që më asistuan dhe natyrisht me dashurinë e Zotit, që deshi dhe vendosi që nuk kishte ardhur ende momenti im dhe se duhej të kthehesha në familjen time. Faleminderit të gjithëve dhe më falni nëse ju kam mërzitur”,- shprehet ajo, tranmeton newsbomb.al.