Vedat Muriqi ka vetëm pak ditë që i është bashkuar skuadrës së Fenerbahçes, por ka treguar menjëherë se mund të bëhet një emër shumë i rëndësishëm për këtë klub. Sulmuesi fillimisht mendohej se do të bëhej pjesë e Gallatasarajit, pasi kishte si preferencë kampionët e Turqisë. Por në fund pranoi ofertën e klubit tjetër të Stambollit dhe pak ditë më parë iu bashkua në stërvitje.
Përkushtimi për lojtarin nuk mungon dhe ai ka treguar që në ndeshjen e tij të parë me këtë klub se do të mund të japë një kontribut të rëndësishëm në fazën ofensive. Në miqësoren e sotme ndaj Bursaspor, gjatë fazës përgatitore, Muriq u aktivizua si titullar dhe menjëherë vulosi rezultatin e kësaj sfidë, duke shënuar të dy golat e suksesit 2-0 të ekipit të tij.
Në fundin e pjesës së parë dhe në fillimin e të dytës, ai ishte shumë i sakët para portës kundërshtare, duke ndjekur aksionet e shokëve të skuadrës e duke treguar menjëherë se merret vesh mjaft mirë me ta. Ai shënoi dy gola prej qendërsulmuesi të mirëfilltë, duke i treguar Fenerbahçes se kishte bërë mirë që kishte insistuar aq shumë për të siguruar firmën e sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës.