Fundi i ndeshjes mes Tiranës dhe Skënderbeut është shoqëruar me një ngjarje aspak të bukur në tribunën VIP të stadiumit ku edhe ata pak persona që lejoheshin me rregullore të qëndronin aty në ndeshjen që luhej pa tifozë, janë konfrontuar fizikisht.
Pamjet e publikuar nga A2CNN tregojnë se si gjithçka fillon me një konfrontim verbal mes një tifozi të Tiranës dhe Gerhard Takajt, djalit të presidentit të korçarëve i cili më pas duket sikur gjuan me diçka. Aty nis edhe përplasja mes palëve që thuajse çon në konfrontimin fizik, me persona të ndryshëm të tribunës VIP që mundohen të ndajnë të dy palët në një situatë të pazakontë në stadium.
Vetëm largimi i tifozit të Tiranës ka qetësuar disi ngjarjen, ndërsa të pranishmit në Tribunën VIP mbanin Gerhard Takajn që të mos vazhdonte më tej përplasjen me të.