Barcelona e nisi keq kampionatin në Spanjë, duke u mundur që në javën e parë nga Atletik Bilbao. Për skuadrën baske, ishte 38-vjeçari Aritz Aduriz ai që realizoi një supergol vetëm pak sekonda pasi hyri në fushën e blertë.
Sulmuesi i Bilbaos, arriti të shënonte një gol me një roveshiatë, duke marrë jo pak duartrokitje dhe ovacione në stadium. Më shumë se për mënyrën se si shënoi, të veçantë e bën golin vetë mosha e futbollistit duke qenë se nuk është e lehtë të shënohet një gol i tillë nga një 38-vjeçar.
Sakaq, një pritje heroike i kanë bërë edhe në dhomat e zhveshjes ku futbollistët kanë nisur me këngë dhe duartrokitje për sulmuesin i cili e ka nisur kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme, ndoshta fillimi më i mirë në karrierë për të.