Përplasja e trenave në Tempi të Greqisë ka qenë shumë e fortë. Të paktën 38 trupa të pajetë janë dërguar në morg në Spitalin e Përgjithshëm në Larisa. Po ashtu priten të dërgohen edhe 3 trupa të tjerë të viktimave.
Sipas drejtueses së shërbimit mjeko-ligjor, Rubini Leontari të paktën 7 trupa janë karbonizuar si pasojë e djegies. Sipas saj disa prej trupave kanë nevojë për test ADN-je për t’u identifikuar.
“7 trupa janë karbonizuar. Procesi i identifikimit nuk ka nisur ende dhe do të marrë pak kohë. Disa prej trupave kanë nevojë për test ADN për identifikim si pasojë e karbonizimit”, tha ajo. Leontari shtoi se shumica e trupave të pajetë u përkasin moshave të reja. Deri më tani nuk raportohet për fëmijë mes viktimave.