Policia e Rinasit ka vënë në pranga dy punonjës të ngarkim-shkarkimit të bagazheve në aeroportin e Rinasit, pasi dyshohen për vjedhje të pasurisë nga bagazhet e udhëturëve. Ndërkohë dy kolegët e tyre do të procedohen në gjendje të lirë.
Në sajë të operacionit të koduar “Bagazhi i fundit” është arrestuar D. M. 22 vjeç, banues në Tiranë dhe E. Rr., 24 vjeç, banues në Ndroq, Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”.
Janë proceduar penalisht edhe A. E, 27 vjeç, banues në Mëzez në Tiranë dhe R.H. 27 vjeç, banues në Tiranë, edhe këta punonjës të ngarkim -shkarkimit të bagazheve të pasagjerëve të linjave ajrore.
Arrestimi i tyre ka ndodhur në kuadër të zbatimit të detyrave të Planit të masave “Për shtimin e masave të sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas”, si dhe nisur edhe nga disa kallzime dhe ankesa të administruar nga ana e Policisë Kufitare Rinas për vjedhje të pasurisë në bagazhe të udhëtarëve të linjave ajrore.
Më datë 17.05.2019, H.E ka kallzuar në Komisariatin e Policisë Rinas, vjedhjen e një sasie prej 4800 euro në bagazhin e tij të udhëtimit, vjedhje të cilën e ka konstatuar në aeroportin e Lubjanës, Slloveni.
Si rezultat i veprimeve operative dhe proceduriale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Rinas u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i shumës prej e 4550 euro, ku dy shtetasit e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim me njëri -tjetrin ja kanë vjedhur shtetasit H.E nga bagazhet.
Po nga veprimet e kryera dyshohet se shteatsit e mësipërm në bashkëpunim edhe me disa punonjës të tjerë janë autorë të dyshuar edhe në disa raste të tjera vjedhje pasurie dhe konkretisht:
• Vjedhjes së një sasi vlerash monetare të shtetasit L.J, më datë15.04.2019
• Vjedhjes së një varse flori të shtetases A.Z më datë 24.04.2019
• Vjedhjes së një varse flori të shtetases D.H, më datë 13.05.2019
• Vjedhjes së një sasi vlerash monetare paund shtetasit L.K, më datë 10.03.2019.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë.