Ministri i Financave, Petrit Malaj së bashku me kryetaren e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, ndoqën nga afër aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre te qytetarët.
Ky aksion po vijon edhe në thellësi të lagjeve të qytetit, me qëllim që t’i japë fund kaosit dhe zaptimit të paligjshëm të këtyre hapësirave. Malaj tha se themeli i këtij aksioni është sundimi i ligjit dhe krijimi i hapësirave të lira për qytetarët.
”Askush nuk mund të zaptojë hapësirat publike për interesa personale, as të pengojë lëvizjen dhe funksionimin normal të jetës urbane në Lushnjë. Është e rëndësishme të ndërtohet një klimë ku të sundojë fryma e ligjit dhe ku respektohen hapësirat e përbashkëta”, theksoi ai.
Kryetarja e bashkisë, Sefa informoi se tashmë është hartuar një plan masash, është bërë evidentimi i të gjitha ndërtimeve në të gjithë territorin. Sipas saj, hapësirat publike do t’i kthehen qytetarëve. ”Përveç zonës qendrore, edhe hapësirat brenda territorit të qytetit do të rikthehen si zona çlodhëse me të gjithë elementët urban”.
