Serbët në veri të Kosovës, edhe këtë të enjte do të vijojnë protestën e tyre. Protestat po mbahen në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Kërkesat e tyre janë që këta kryetarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe, ashtu si edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës dje njoftoi se protesta ishte e qetë fillimisht por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime.
Qytetarë në Zveçan kanë nisur të grumbullohen që nga orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, por në numër më të vogël se dje. Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, që funksionon nën sistemin e Serbisë, janë duke u regjistruar në listën e të punësuarve që është vendosur në një tavolinë, si dëshmi “që vijnë në punë”.