Rusia nuk i ka kursyer bombardimet në të gjithë territorin e Ukrainës as në ditën e fundit të vitit 2022. Sipas zyrtarëve atje, dhjetëra predha janë lëshuar në drejtim të qyteteve të ndryshme.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, tha se nga shpërthimet në qytet kishte të paktën një viktimë dhe disa të plagosur. Sulmet ndodhën dy ditë pasi Rusia ndërmori një prej mësymjeve më të mëdha ajrore në Ukrainë që prej fillimit të luftës.
Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia do të sulmonte përsëri, në mënyrë që Ukraina ta kalonte natën e ndërrimit të viteve në errësirë të plotë.
Në Kiev, njerëzit nxituan të futeshin nëpër streha sapo ranë sirenat, ndërsa punonjësit e shërbimeve të emergjencës u dërguan në tre lagje ku u raportuan dëme nga shpërthimet.
Forcat ajrore të mbrojtjes janë aktivizuar në të gjithë territorin.