Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me punonjësit socialë, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla, të cilët këtë vit do të punojnë me një udhëzues të ri, të rishikuar sipas standardeve të përditësuara, për të garantuar një klimë të qetë dhe të sigurt në shkolla.
Përmirësimi i protokolleve të punës është pjesë e Planit të Sigurisë në Shkolla, të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Duke folur për rëndësinë e forcimit të strukturave që merren me sigurinë në shkolla, Manastirliu tha se “për ne është e rëndësishme që figura e oficerit të sigurisë në shkollë, e psikologut dhe e punonjësit social të fuqizohet edhe më shumë. Ne jemi duke punuar që, në kuadër të Planit të Veprimit për Sigurinë në shkolla dhe për përforcimin e mekanizmave parandalues ndaj çdo forme të dhunës dhe bullizmit në shkollë, të kemi mundësi të rrisim numrin e oficerëve të sigurisë dhe të forcojmë mekanizmat ndihmës për këto njësi të rëndësishme që garantojnë mbrojtje dhe siguri për fëmijët tanë brenda dhe jashtë perimetrit të shkollës”.
Ministrja Manastiriu u ndal te përmirësimet e bëra në modulet dhe protokollet si dhe në mjetet digjitale të punës, duke theksuar rolin e SMIP në menaxhimin e rasteve dhe informacionit në kohë reale.
