Zgjedhja e Avokatit të Popullit u kthye në një mollë sherri mes opozitës dhe maxhorancës dhe procesi është sërish në pikën zero. Gara u rihap dhe tashmë është përmbyllur edhe faza e parë e këtij raundi të dytë. Janë 14 emrat që kanë aplikuar për të qenë drejtues në këtë institucion të rëndësishëm kushtetues.
Ndër emrat që kanë aplikuar është edhe e Vitore Tushës. Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, e larguar pas një mandati shumë të tejzagjtur vetëm pak javë më parë, mund të bëhet gardiania e të drejtave të njeriut në vend.
14 personat që kanë aplikuar: Alket Jaupi, Bledar Dervishaj, Besim Ndërgjoni, Drita Avduli, Dardan Mustafa, Erald Aga, Endri Papajorgji, Edison Frangu, Robert Gajda, Lefterie Luzi, Sokol Hazizaj, Tartar Bazaj, Ilir Rusmali dhe Vitore Tusha.
Si zgjidhet Avokati i Popullit?
Lista e kandidatëve do t’i dorëzohet komisionit Parlamentar të Ligjeve për të verifikuar përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore. Komisioni do të kryejë seanca dëgjimore për çdo kandidat, ku do u bëhet vlerësimi për përmbushjen e kritereve kushtetuese. Më pas, kandidaturat e përzgjedhura i paraqiten Kuvendit me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë. Zgjedhja e avokatit të ri të popullit kërkon 84 vota dhe ka një mandat 5 vjeçar.
Kushtet për t’u zgjedhur Avokat i Popullit
Avokat i Popullit mund të jetë çdo person që plotëson këto kushte:
a): të jetë shtetas shqiptar.
b): të ketë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
c): të shquhet për aftësi profesionale dhe figure të pastër etiko-morale;
ç): të mos jetë dënuar penalisht
d): të mos jetë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin a zgjedhjen e tij.