Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka firmosur regjimin e ri të orarit të vizitave të familjarëve në Spitale. Bëhet fjalë për urdhrin për regjimin e disiplinës dhe rregullave për aksesin e vizitorëve në çdo spital universitar, rajonal dhe bashkiak në vend.
Ndërkohë është ndaluar prezenca e familjarëve në Urgjenca, përveç rasteve kur kërkohet nga mjeku. Ky regjim i ri vjen dhe pas një rasti të disa ditëve më parë ku një mjek u dhunua nga familjari i një pacienti.
Konkretisht, vizitat e familjarëve në shërbimet me shtretër do të kryhen dy herë në ditë, paradite nga ora 12:00 – 13:00 dhe mbasditë nga ora 17:00 -19:00.
Ndërsa vizitat në shërbimin e reanimacionit spitalor për familjarët e pacientëve të shtruar në reanimacion do të kryhen dy herë në ditë në orën 11:00 – 12:00 dhe 18:00 – 19:00. Këto orare do të jenë të afishuara në çdo hyrje spitali dhe pavione.
Sipas Urdhrit të Ministres, spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake ngarkohen për të hartuar rregulloret e brendshme, duke marrë masa për të afishuar në çdo hyrje spitali dhe pavione, në stendat e informacionit dhe këto rregulla duhet të ndiqen dhe respektohen nga familjarët e pacientëve të pranuar në shërbimet spitalore.
Spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake do të marrin masa të vendosin disiplinimin dhe rregullin në shërbimet e urgjencës, duke mos lejuar prezencën e personave të pa-autorizuar që nuk marrin shërbim shëndetësor, duke krijuar ambjente te posaçme për pritjen e familjarëve dhe komunikimin me mjekët, por nuk do të lejojnë familjarë në ambjente ku ofrohet shërbimi i urgjencës. Përjashtim bën rasti kur mjeku vlerëson praninë e një familjari.