Dy persona janë arrestuar në flagrancë nga policia e Lezhës, teksa një i tretë është shpallur në kërkim, pasi vodhën një furgon.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në fshatin Ishull-Lezhë. Ka qenë vetë pronari i mjetit që ka lajmëruar se disa persona i vodhën furgonin që kanë vënë në lëvizje efektivët e policisë.
Brenda 20 minutash ata mundën të gjejnë autorët bashkë me mjetin e vjedhur në një lagje të Lezhës. Në pranga ranë A.M.,41 vjeç, dhe E.P.,32 vjeç. Ndërkohë në kërkim është shpallur R.K.,25 vjeç, me precedent kriminal në fushën e vjedhjeve, i cili mundi të largohej gjatë ndjekjes nga policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës së Parë Lezhë për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.