Është ngjarja më e bujshme e këtij fillimviti. Rozeta dhe Havier Dobi, nënë e bir do të dalin sot para trupës gjykuese për vjedhjen e shtëpive ku Rozeta punonte si pastruese. Ata dyshohet se kanë grabitur 4 banesa të familjeve VIP, përveç asaj të zyrtares Alda Klosi ku morën 120 mijë euro.
49-vjeçarja dhe djali i saj vodhën 120 mijë euro dhe bizhuteri me vlerë nga shtëpia e ish-shefes së kabinetit të ish.zv-kryeministrit Arben Ahmetaj. Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në shtëpinë e Klosit, kishte kopjuar çelësat dhe bashkë me djalin e saj vodhën paratë dhe e inskenuan ngjarjen si një grabitje.
Përveç 120 mijë eurove, policia kreu një tjetër kontroll në banesën e 49-vjeçares një ditë më parë dhe iu gjeti në tubin e aspirimit 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat tashmë janë sekuestruar nga policia. Burimi i këtyre parave mendohet të ketë qenë nga grabitje të ndryshme të banesave nga të cilat, dyshja vidhte çdo gjë me vlerë.