Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, duke komentuar protestën e zhvilluar më 7 korrik, u shpreh se pjesëmarrja e lartë është një tregues i qartë që qeveria nuk po punon për qytetarët e saj.
E ftuar në emisionin “Kjo javë”, Vokshi theksoi se qytetarët nuk dolën për Sali Berishën, por për të drejtat e tyre, ndërsa paralajmëroi se tashmë PD është gati për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën.
Deputetja shtoi se vijojnë bisedimet me një sërë deputetësh demokratë të cilët shumë shpejt do t’i bashkohen strukturave të reja të PD-së.
“Kushdo deputet është i ftuar, që nuk i është bashkuar Foltores, Rithemelimit apo strukturave të zgjedhura me një anëtar një votë, një PD më demokratike se kurrë më parë. Kemi qenë shumë ftues dhe bashkëpunues në mënyrë konstante. Vijojmë bisedimet me një pjesë të deputetëve një pjesë e të cilëve janë me zemër me ne, por shumë shpejt do të hedhin edhe hapin e duhur. Gjithsecili deputet është i lirë të mendojë dhe të gjykojë për vendime të rëndësishme. Por kushdo që ka mendim politik jam e sigurt që vendin e ka aty ku është baza, anëtarësi, votuesit.”