Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nis sot një tur 4 ditor në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Sipas njoftimit Von der Leyen, nesër do të jetë në Prishtinë ku do të zhvilloj takime me kryeministrin dhe presidenten.
“Të hënën ajo do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në njoftim. Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd. Atje ajo do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me kryeministren, Ana Brnabiq.
Vizita vjen pas takimeve që Von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.