”Vrapo, mami ka vdekur”, bërtiti vajza e vogël e Klodiana Vefës, 35-vjeçares shqiptare e cila u vra me tre plumba pistolete në rrugë në Castelfiorentino. Ngjarja tragjike ndodhi pak para orës 20:00 të së enjtes, pak metra nga shtëpia ku jetonte me dy fëmijët, të moshës 14 dhe 17-vjeç, por jo më me bashkëshortin Alfredin, gjithashtu shqiptar, me të cilin po ndahej.
Për këtë të fundit nuk ka ende asnjë gjurmë dhe është aktualisht në kërkim nga karabinierët. Ai rezulton i dyshuari kryesor i ngjarjes së rëndë dhe është shpallur në kërkim nga policia.
Jetonte në Itali prej 17 vitesh, dhe 35-vjeçarja punonte si kamariere në një restorant. Mbrëmjen e djeshme, Alfredi mësohet se kishte shkuar në shtëpinë e gruas dhe mes palëve kishte shpërthyer një zënkë. Më pas Klodiana kishte dalë nga shtëpia. Pikërisht në trotuar, pak metra më tutje u vra me 3 plumba pistolete, një prej të cilëve i mori jetën.
Përjetimin e situatës, Klodiana e ka përcjellë edhe përmes disa postimeve në rrjete sociale. Në një postim në 17 shtator në Instagram, ajo shkruan: “E njoh shumë mirë veten, jam prej betoni dhe xham. Disa gjëra nuk më prekin, të tjera më shkatërrojnë”. “Dashuria të merr gjithmonë pak në befasi, ka nga ata që pushtohen prej saj dhe në fund ikin dhe ka nga ata që e jetojnë atë me gjithë pasionin dhe forcën e tyre”.
Dhe në rrjetet e saj sociale komentet e bashkëshortit të saj Alfredit ishin zhdukur tashmë prej pak kohësh. Gjurma e fundit në faqen sociale daton në 18 prill 2022, kur ai komentoi një foto të Klaudias në shoqërinë e djalit të saj. Në një tjetër postim ajo shkruan: Nuk ta bëj hallall.