Drejtori i policisë së Durrësit, Skënder Hitaj, në një deklaratë për mediat, bëri me dije se pas vrasjes së 32-vjeçares Luljeta Preza te Ura e Dajlanit do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë fenomeneve të kundraligjshme për qëllime fitimi, si lypja dhe shfrytëzimi i prostitucionit, duke nisur me një plan masash për kontrolle në zonat me risk të lartë.
“Nga veprimet e thelluara hetimore , nën drejtimin e Prokurorisë Durrës, u bë dokumentimi i plotë i ngjarjes. U përcaktua qartë mekanizmi dhe roli i personave të përfshirë në të. U bë e mundur identifikimi dhe kapja e autorëve në kohë rekord. Ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për tre shtetase të tjera, njëra prej tyre e mitur. Këta shtetase deri në momentin e shoqërimit në polici, nuk e kishin kallëzuar krimin. Shprehim vendosmërinë se nisur nga kjo ngjarje e rëndë do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë këtij fenomeni”, tha ai.