Harry Simpson, anglezi i fundit që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare për vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin, është arrestuar ditën e enjte nga policia britanike. 32-vjeçari u arrestua në kuadër të bashkëpunimit të policisë shqiptare me atë të Manchesterit, në një banesë në Londër me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Gjykata e Lezhës ka caktuar për Harry Simpson masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “vrasja për gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,
Simpson është një emër i njohur për autoritete policore, pasi ka pasur edhe të shkuar kriminale. Ai është dënuar në vitin 2019 në Britani të Madhe për shitje të drogës nëpër rrugët e Londrës. Ai është dënuar në vitin 2015 me 5 vite e 3 muaj burg, ndërsa asokohe ka qenë vetëm 24 vjeç.
Ekzekutori i Nikulajt është portugezi Ruben Saravia me porositës dhe organizator, Edmond Haxhia. Referuar njoftimit të policisë, vrasja erdhi për motive gjakmarrjeje, pasi Nikulaj ishte në hasmëri me fisin Palaj (Lekstakaj). Nikulaj njihej si një biznesmen ndërtimi në zonë, ndërsa ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2021.
“Punë intensive lokalizuese dhe kërkime të kryera në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023. Lokalizohet dhe kapet në një banesë në Londër, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasi i fundit i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor për kryerjen e kësaj vrasjeje.
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë të strukturave të Policisë së Shtetit, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, si dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, u bë i mundur lokalizimi në një banesë në Londër, kapja dhe arrestimi me qëllim esktradimin, i shtetasit të shpallur në kërkim H. S. alias J. S., 32 vjeç, lindur dhe banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar për shtetasin H. S. alias J. S., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet se në bashkëpunim me 5 shtetas të tjerë (në rolet e porositësit, ekzekutorit dhe 3 bashkëpunëtorëve të tjerë), ka qenë i implikuar në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023. Interpol Tirana vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Interpol Manchester, me qëllim ekstradimin e 32-vjeçarit, drejt vendit tonë”,-njofton policia.